SCOOP Maqedonia në muajin prill të këtij viti do t’i publikojë dhe do t’i mapojë fletët pronësore të katër partive më të mëdha politike në vend. Këtë tekst mund ta lexoni këtu.
VMRO-DPMNE është një nga partitë më të pasura në Evropë sipas pronës të cilën e posedon. Ka 93 fletë pronësore për selitë partiake nëpër Maqedoninë, ku në fletët pronësore janë regjistruar objekte, toka bujqësore dhe kullota me një sipërfaqe totale prej 33.238 metrash katrorë. Sipas vlerës së tregut, prona totale vlerësohet në rreth 60 milionë eurosh, ndërsa vetëm selia e re e partisë në qendër të Shkupit është me vlerë prej rreth 40 milionë eurosh.
Pas VMRO-DPMNE-së, pronën më të madhe në Evropë e posedon Partia e Qendrës në Suedi, prona e së cilës vlerësohet në rreth 53 milion eurosh.
Partia SDU e Angela Merkelit në Gjermani posedon pronë në vlerë prej 50 milionë eurosh, Partia Laburiste në Britaninë e Madhe ka prona të paluajtshme në vlerë prej 9 milionë funtesh, ndërsa Partia Konservative 11 milionë.
Rritja marramendëse e pronës së VMRO-DPMNE-së fillon në vitin 2006, kur bëhet mbajtës i pushtetit në krye me Nikolla Gruevskin.
“Ish Lidhja e Komunistëve të Maqedonisë kishte 168.000 anëtarë, si partia e vetme, nëse i mblidhen të gjitha, anëtarëve me pagesën e pagës u merreshin para për anëtarësi, e rregulluar me ligj dhe me siguri nuk kishte 60 milionë euro hapësira dhe pronë”, thotë Petar Goshev, ish-lider i Partisë Liberal-demokrate (PLD).
PREJARDHJA E PARAVE
LSDM-ja në Kadastrën e Pronave të Paluajtshme paraqitet 14 herë, ndërsa posedon pronë me një sipërfaqe totale prej 4.120 metrash katrorë. Prej kësaj sipërfaqeje, gjysma e pronës i takon selisë së partisë, e cila është një ndërtesë e mëparshme e shtetit, që është zëvendësuar në vitin 1993. Një tjetër pronë partia ka në Manastir.
Për dallim nga to, BDI-ja ka 4 fletë pronësore, prej të cilave 3 në Shkup. Prona më e vlefshme prej këtyre pronave është ndërtesa e selisë partiake me një sipërfaqe totale prej 1.533 metrash katrorë në Çair.
E diskutueshme për bashkëbiseduesit, të cilët i ka konsultuar SCOOP Maqedonia, është prejardhja e parave për blerjen e kësaj prone.
“Si është krijuar, me cilat resurse është krijuar ajo pronë e partisë? Dhe ne e dimë sot sipas fletëve pronësore, e dimë sipas gjendjes së tyre materiale-financiare se partitë janë institucionet më të pasura në vend”, thotë Akademiku Abdylmenaf Bexheti, ish lideri i PPD-së.
Duke gjykuar sipas raporteve, llogaria partiake e partisë më të madhe qeverisëse në tre vitet e fundit është në rritje vazhdimisht. Nuk mund të ankohen as ata të BDI-së dhe PDSH-së, sepse edhe tek ata nga viti në vit shuma e parave që transferohet në llogari është më e madhe, që nuk është rast me LSDM-në.
Nga vijnë dhe si shpenzohen paratë partiake? Sa janë reale shifrat në raportet? Dhe pse partitë i fshehin raportet financiare, të cilat nuk mund të shihen në faqet e tyre të internetit?
“Nëse ju i shikoni partitë politike, vetëm nëse llogaritni se sa para japin për një fushatë, ky është një dimension që llogaritet lehtë, do të shihni se shkojnë në zgjedhje, shkojnë me disa miliona euro në zgjedhje. Tani parashtrohet pyetja se nga është ai financim? Është edhe më interesante se, hajde disa para vijnë në llogari, por dy të tretat e atyre parave nuk vijnë fare në llogari dhe me siguri paguhen me para në dorë në televizionet ose paguhen nëpërmjet shërbimeve indirekte, gjegjësisht sërish vijmë deri te një korrupsion masiv”, tha Lubço Gjeorgjievski, lideri i VMRO-së Partia Popullore.
QARKULLIM MILIONËSH ME DY TË PUNËSUAR
Makina, banesa, shtëpi luksoze, 170.000 anëtarë, por vetëm dy të punësuar në listën partiake të partisë më të madhe qeverisëse me një pagë prej 1500 eurosh. Tre vjet më parë nuk kishte asnjë të punësuar në parti. Për këtë temë një shqetësim ka treguar edhe ish-ndërmjetësuesi i BE-së për krizën, Peter Vanhoutte, i cili ka shprehur dyshime për prejardhjen e parave të partisë pak para se të shpallet i padëshiruar në vendin nga është partia e Gruevskit.
“Ne të gjithë e dimë se bëhet fjalë, si të them, për një teatër të caktuar rreth gjithë asaj gjëje dhe kuptohet që përgjigja është se është e pamundur që parti aq të mëdha politike të funksionojnë me një të punësuar”, tha Sasho Ordanovski, luftëtar kundër korrupsionit.
“VMRO-ja ka krijuar një skemë që operacionet partiake t’i kryejnë njerëz të cilët i kanë punësuar në shërbimet shtetërore. Ata më shumë e kryejnë punën partiake sesa që i kryejnë shërbimet shtetërore”, tha Stojan Andov, themeluesi dhe ish-lideri i PL-së.
Edhe pse në opozitë, LSDM-ja me gjithsej 29 të punësuar mbi kurrizin e saj, duket si të jetë në pushtet. Pagat e tyre janë shumë më të ulëta se kundërshtarët e tyre politikë, por jo si ato në kampin e partive shqiptare, BDI-ja dhe PDSH-ja të cilat kanë nga 4 përkatësisht 1 të punësuar në parti.
“Nëse keni disa njerëz të cilët vazhdimisht punojnë atje, kurse nuk kanë një marrëdhënie të bazuar formale-juridike pune, nuk janë të punësuar në ndonjë vend tjetër, kjo do të thotë se marrin para në dorë, në kesh”, tha Petar Goshev, ish-lideri i PLD-së.
Për njohësit e rrethanave politike, partitë politike në Maqedoni janë bazë për korrupsion.
“Korrupsioni në njëfarë mënyre buron nga këtu, nëse buron nga partitë politike të cilat janë një platformë prej nga delegohen zgjidhjet kadrovike nëpër institucionet, mund të imagjinoni se si penetron, si multiplikohet dhe si shumëzohet ai korrupsion në të gjitha nivelet në institucionet”, theksoi Bexheti.
“Nëse korrupsioni fillojë të krijohet nga lart, zakonisht nga lart krijohet në fillim, pastaj ai zbritet çdo ditë më thellë e më thellë dhe përfundon diku te rojtari, përkatësisht te punëtori i thjeshtë që kryen punën më të thjeshtë në ndonjë institucion. Korrupsioni është si kanceri. Korrupsioni është si kanceri në një trup. Nëse ai paraqitet dhe nuk prehet në fillim, ai përhapet çdo ditë, përhapet dhe në fund do të hajë trupin e vetë, gjegjësisht organin ku është krijuar”, tha Imer Selmani, ish-lideri i DR-së.
Georgievski thotë se ky fenomen rëndë të çrrënjoset tani: “Ajo është një skemë e madhe korruptive, të gjithë bëhemi të çmendur dhe ajo funksionon për 25 vjet dhe me siguri do të vazhdojë edhe më tej”.
SHPENZOJNË MË SHUMË SESA KANË
Dallimi i madh ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve të partive politike mund të shihet edhe në paratë që janë shpenzuar në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2014.
Partitë qeverisëse VMRO-DPMNE dhe BDI kanë shpenzuar shumë më tepër para në krahasim me LSDM-në gjegjësisht PDSH-në. Por, në përgjithësi mund të konkludohet se këto parti shpenzojnë më shumë para sesa që fitojnë. Dhe zgjedhjet i përfundojnë në minus.
Është simptomatike edhe mënyra në të cilën partitë reklamohen në mediat. Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar shkelje të Kodit zgjedhor për reklamim politik në mediat.
Çmimi i shërbimit të përcaktuar në faturën për reklamim politik të dorëzuar nga 1 transmetues është për 50 për qind më i ulët se sa çmimi i fiksuar në listën e çmimeve për reklamim politik.
“Këtu ka mjaft elemente për korrupsion, përkatësisht që mediat t’i korruptojnë politikanët, gjegjësisht që partitë politike apo politikanët t’i korruptojnë mediat. Prandaj këtu duhet organet e shtetit, tani është moderne Prokuroria Publike Speciale, të bëjnë punën e tyre”, thotë Imer Selmani.
Edhe më i keq është raporti në mes të pozitës dhe opozitës në bllokun shqiptar.
BDI-ja, për zgjedhjet në vitin 2014 ka shpenzuar rreth 570.000 eurosh, që është pothuajse 4 herë më shumë se LSDM-ja dhe 70 herë më shumë se PDSH-ja.
“Nëse të gjitha mediat kanë simpati ndaj njërës anë, thjeshtë ai opsion dhe ajo parti politike do të fitojë kur dëshiron dhe si dëshiron ajo. Edhe ideja më e mirë edhe programi më i mirë nëse nuk janë në dispozicion për qytetarët përmes mediave, thjeshtë qytetarët nuk do të dinë për atë ofertë dhe nuk do të dinë se për çfarë bëhet fjalë. Sot çdokush mund të jetë i demonizuar me gjysmë të vërteta apo asnjëfarë të vërtetash dhe kjo është në dëm të demokracisë, në dëm të së ardhmes së vendit, në dëm të së tashmes së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha Selmani.
Zgjedhjet, edhe pse ende nuk kanë filluar, i kanë detyruar partitë në masë të madhe të shpenzojnë për aktivitetet parazgjedhore, kurse për prejardhjen e parave kanë alarmuar nga Transparency International Macedonia dhe Qendra për Analiza Ekonomike. Mesazhi i tyre është i njëjtë me atë të ekspertëve – derisa nuk përfshihen institucionet kompetente për të shqyrtuar se nga vijnë mjetet, do të ketë dyshim se ato janë para të zeza.
(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)