autor: Goran Lefkov
Debakël të plotë ka përjetuar legjislacioni për implementimin e lejeve ekologjike B të integruara në Maqedoni. U përpoqëm të kuptojmë se sa leje ekologjike B të integruara janë nxjerrë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, por që andej nuk japin përgjigje.
Duke e shfrytëzuar Ligjin për qasje të lirë tek informacionet me karakter publik, u përpoqëm të marrim të dhëna nga komunat, të cilat janë përgjegjëse për nxjerrjen e lejeve ekologjike B të integruara, por vetëm nja 40 komuna u përgjigjën, prej gjithsej 80. Qyteti i Shkupit është kompetent për nxjerrjen e lejeve ekologjike B të integruara për komunat e Shkupit, por prej andej nuk morëm të dhëna se sa leje janë nxjerrë deri më tani.
Edhe pas 10 viteve nga nxjerrja e urdhëresës për implementimin e lejeve ekologjike B të integruara, ekspertët dyshojnë se komunat e kanë kapacitetin për këtë rregullativë.
“Në shumë vetëqeverisje lokale, inspektorati komunal nuk ka kapacitet dhe njohuri për të implementuar urdhëresat për leje ekologjike B të integruara”, thotë Aleksandra Bujarovska, juriste me specializim në implementimin e legjislacionit ekologjik.
Në terren krijohen probleme të mëdha. Pushteti qendror dhe lokal nuk koordinohen rreth nxjerrjes së lejeve, gjë që qytetarët i habit.
“Keni situatë kur këtu në rrethinat e Strugës, ku institucionet në nivel qendror i kanë shfrytëzuar planet e vjetra të vendbanimeve, të cilat ndërkohë janë ndërtuar me objekte që janë legalizuar”, thotë Berat Sela, themelues i organizatës joqeveritare ‘Natyra’ nga Struga.
Ata kanë zbatuar projektin e mbështetur nga programi Civica Mobilitas të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (CDC), dhe këto janë arritjet e tyre.
Ligji i mirë, implementimi i keq
Legjislacioni për lejet ekologjike B të integruara është vlerësuar si i mirë, për shkak se pjesa më e madhe është përshkruar nga rregullativa evropiane. Te ne periudha e harmonizimit dhe implementimit të legjislacionit për lejet e integruara ishte nga viti 2007 deri në prill të vitit 2014. Për këtë qëllim, nga viti 2005 deri në vitin 2007 nga qeveria e atëhershme e Vllado Buçkovskit u bë lista e inventarizimit me kompanitë që duhet t’i kërkojnë lejet ekologjike B të integruara. Në këtë listë inventarizimi u gjendën 260 instalime (firma).
“Sipas këtij legjislacioni, të gjithë ndotësit edhe me leje A edhe me leje B u desh ta harmonizonin teknologjinë e tyre dhe në prill të vitit 2014 t’i merrnin lejet e integruara. Disa prej firmave të mëdha, si Jugokrom, Oslomej dhe REK Bitolla nuk arritën të harmonizoheshin konform vlerave kufitare për emisione në natyrë. Për këto ka njëfarë lloj informacioni. Në lidhje me ndotësit e vegjël, që u nënshtrohen lejeve ekologjike B të integruara, nuk kemi kurrfarë informacioni. Pothuajse askush nuk ka informacion se deri ku është puna me implementimin e tyre dhe sa ndotin ato. Inspektoratet komunale mendoj se nuk kanë as kohë, e ku më dituri që t’i përcjellin emisionet e ndotjes së natyrës nga instalimet që i nënshtrohen lejes ekologjike B të integruar”, thotë Aleksandra Bujarovska.
Ajo dyshon se Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor ka kapacitet që t’i implementojë në vepër standardet e parapara, ndërsa inspektoratet komunale në përgjithësi nuk kanë kurrfarë kapaciteti.
Direktiva për pengimin dhe kontrollimin e integruar të ndotjes, që është transferuar në legjislacionin tonë, tashmë nuk ekziston. Tashmë ka të re dhe quhet Direktivë për emisione industriale. Direktiva për ndotjen industriale do të transferohet në legjislacionin tonë. Ndryshimet në këtë direktivë në mënyrë plotësuese do të duhet që të barten te ne.
Në vazhdim, për një vit a dy do të ketë ndryshime në legjislacion dhe në implementimin e direktivave të reja.
E vogël është përqindja e kompanive të cilat me të vërtetë i plotësuan standardet për të marrë lejet ekologjike B të integruara.
Në 40 komuna janë nxjerrë vetëm 80 leje
Për nevojat e kësaj storje, ekipi i Qendrës për Gazetari Hulumtuese – SCOOP Maqedoni bëri hulumtimin rreth numrit të lejeve ekologjike B të integruara të nxjerra. U bëmë kërkesë me qasje të lirë tek informacionet me karakter publik të gjitha komunave në Republikën e Maqedonisë. Përgjigjja në këto kërkesa ishte gjysmake. Vetëm 42 komuna u përgjigjën në to.
Në këto komuna janë nxjerrë 86 leje ekologjike B të integruara, ndërsa për 39 instalime janë nxjerrë leje për harmonizim me planin operativ. Edhe pse afati i fundit për implementimin e legjislacionit për lejet B të integruara ishte prilli i vitit 2014, megjithatë në procedurë ka edhe 38 kërkesa.
Sipas të dhënave të SCOOP, nga viti 2007 deri në nëntor të vitit 2013 vetëm nja 30 kompani kanë pasur leje për harmonizim me planin operativ, që më vonë duhej të shndërrohej në leje ekologjike të integruar. Kuptohet, nëse i plotësojnë kushtet në planin operativ. Pastaj ndodh shpërndarja e madhe e vërtetë me lejet, konsideron Aleksandra Bujarovska.
“Nga nëntori i vitit 2013 deri në prill të vitit 2014, për më pak se 6 muaj, leje morën 150 instalime. Në fillim ishin 170, por ndonjëra prej firmave hoqi dorë. Është i madh numri i lejeve të nxjerra ekologjike të integruara për një periudhë kaq të shkurtër. Në këtë periudhë derisa nxirreshin këto leje, me qëllim ose jo, ueb-faqja e Ministrisë së Mjedisit Jetësor nuk punonte. Burimi themelor për ndonjërën prej kompanive se ka aplikuar dhe se ka marrë leje ishte ueb-faqja e Ministrisë së Mjedisit Jetësor”, konsideron Bujarovska.
Interesant është rasti me Komunën e Gostivarit. Atje kërkesë për leje ekologjike B të integruar kishin dorëzuar 8 firma. Asnjëra prej atyre firmave nuk ka marrë leje ekologjike B të integruar, 5 mbeten ende në procedurë, ndërsa 3 janë refuzuar për shkak se u është marrë koncesioni për mihjen e lëndëve të para minerare.
Në përgjigjen e Kërkesës për qasje të lirë tek informacionet me karakter publik, drejtuar Komunës së Radovishit, theksohet se në komunë nuk ka instalime që i nënshtrohen nxjerrjes së lejes ekologjike B të integruar, edhe pse në listën e inventarizimit janë theksuar 3 kompani nga kjo komunë të cilat duhet ta zvogëlojnë ndotjen në kuadrin e lejuar dhe të marrin leje ekologjike B të integruar.
Komuna të papërgatitura, implementime të këqija
Komunat në Maqedoni aspak nuk ishin të përgatitura për implementimin e rregullativës për leje ekologjike B të integruara. Vetëm një numër i vogël komunash kishin njerëz dhe dituri për zbatimin e tyre. Sipas Lupka Gligorovës, inxhiniere e diplomuar për mbrojtjen e mjedisit jetësor, komunat Veles, Strumicë, Manastir dhe një pjesë e komunave të Shkupit kanë kapacitet dhe dituri për implementimin e këtij legjislacioni, ndërsa komunat tjera, sidomos ato të voglat, nuk kanë.
“Pjesa më e madhe e firmave (sipas vlerësimit paushall, 90%) kanë dorëzuar kërkesë për leje, megjithatë pjesa e madhe e tyre nuk i plotësojnë tërësisht kushtet e parapara me leje, e një pjesë e madhe edhe procedurat për kalimin nga leja për harmonizim në leje ekologjike të integruar nuk i kanë kryer”, thotë Gligorova.
Ajo shton se mungon mbikëqyrja e inspektimit për implementim e obligimeve të legjislacionit për leje të integruara. Nëse inspektorët i ngushtojnë, ato patjetër t’i implementojnë. Kështu, firmat pa kontrolle nga inspektimet, asnjëherë nuk do ta zbatojnë vetë atë legjislacion, konsideron Gligorova.
Aleksandra Bujarovska thotë se në 90% të rasteve firmat u dorëzojnë komunave kërkesa gjysmë të zbrazëta.
“Deri në mes të vitit 2008 kishte afat për të marrë Lejen për harmonizim me planin operativ. Për ta zënë këtë afat, firmat dorëzuan 170 aplikacione të plotësuara në mënyrë gjysmake për leje ekologjike A të integruar. E njëjta, bile edhe më keq, ndodhi edhe në nivel komunal”, konsideron Bujarovska.
Sipas Ligjit, po qe se firmat që u desh të merrnin lejet ekologjike B të integruara nuk e bëjnë këtë deri në prill të vitit 2014, duhej të mbylleshin. Por, më vonë, u bë intervenimi me disa ndryshime të imëta dhe sot pothuajse nuk ka kompani që është e mbyllur, për shkak se nuk ka leje ekologjike B të integruar.
Guroret e helmojnë Labunishtin
Problemet me nxjerrjen e lejeve ekologjike B të integruar më mirë në terren shihen në rrethinat e Strugës. Në Labunisht ka 5 gurore menjëherë pranë fshatit. Ndotja e ajrit dhe e mediumeve të tjera nga këto gurore është e madhe.
Sipas Alija Tasimit, kryetar i Bashkësisë lokale në këtë fshat, problemi është mjaft i madh.
“Një guroreje në Labunisht i kanë dhënë leje për përpunimin e rërës, edhe pse nga aeroplani shihet se nuk ka kushte që ajo gurore të punojë. Ne si qytetarë konsiderojmë se 3 prej guroreve nuk kanë bazë për leje ekologjike B të integruar. Për dy prej guroreve e di që nuk e kanë marrë pajtimin nga Bashkësia lokale, ndërsa për të tretën jam i sigurt se nuk e ka pajtimin tonë si Bashkësi lokale e nuk e ka edhe lejen ekologjike B të integruar. Pa pajtimin e popullsisë vendore, nuk mund ta kompletojë dokumentacionin për leje ekologjike B të integruar”, thotë Tasimi.
Labunishti ka rreth 1.700 shtëpi dhe rreth 10.000 banorë. Problemin më së shumti e ndiejnë qytetarët në lëkurën e tyre.
“I tërë fshati vuan nga guroret. Pak është e paqartë se përse në atë vendbanim tani ndërtohen, madje, edhe shtëpi. Ne si banorë të Labunishtit kërkojmë që t’i japin fund ndotjes. Kemi bazën e përpunimit të gurit, e cila punon 2-3 orë në ditë, që krijon pluhur, por që nuk është aq e dëmshme sa guroret. Ato kur nxjerrin gurë, nxjerrin nga 40-50 kamionë në ditë. Ata kamionë kur kalojnë, i tërë pluhuri përfundon në vendbanim. Kur bie shi, veturat kanë nga 2 centimetra pluhur. Ajri është shumë i ndotur. I tërë fshati heq nga guroret. Kur kalojnë kamionët, nëpër rrugë ngrihet aq shumë pluhur, saqë kjo është e pabesueshme”, thotë Xhabir Asanoski nga Labunishti.
Nga OJQ Natyra nga Struga janë kundër nxjerrjes së lejeve të mëtejshme në rrethinat e Strugës.
“Ne si shoqatë ekologjike ‘Natyra’ jemi kundër nxjerrjes së lejeve ekologjike B të integruara për gurore të mëtejshme në rrethinat e Strugës. Vetëm në Strugë dhe në rrethinën e Strugës ka 17 gurore. Kjo është shumë”, konsideron Sela.
Sipas të dhënave të Komunës së Strugës, në Labunisht leje ekologjike B të integruar ka vetëm Gurorja Vlashi. Tërë komuna, ndërkaq, ka nxjerrë 6 leje ekologjike B të integruara.
Çfarë domethënie ka leja ekologjike B e integruar
Lejet ekologjike A dhe B të integruara filluan të implementoheshin në vitin 2007. Asokohe për herë të parë u bënë ndryshimet e Ligjit për mjedisin jetësor, ku ndotësit, varësisht prej asaj se me çfarë kapaciteti punojnë, i ndanë në leje ekologjike A dhe B të integruara.
Me instalimin e këtyre lejeve në Ligjin për mjedisin jetësor, implementohet Direktiva për pengimin dhe kontrollimin e integruar të ndotjes të Bashkimit Evropian. Qëllimi i kësaj direktive është që ndotja nga instalimet e këtij tipi të kthehet në minimum. Pjesa më me interes e kësaj direktive është ajo se kanë qasje të integruar. Ndotja ndaj ajrit, ujit dhe tokës mbikëqyret në mënyrë të integruar. Do të thotë, me këtë direktivë kontrollohet ndotja e përgjithshme që mund të dalë nga një instalim (fabrikë) i caktuar. Më parë ka pasur leje të veçantë për ujë, për lëshimin e ujit, për shfrytëzimin e ujit, për ndotjen e ujit. Leje të veçanta ka pasur për mbeturinat. Qëllimi është që përmes përkryerjes, të arrihet në emisione zero, në kreacione zero të mbeturinave, në efikasitet maksimal energjetik të vetë aparaturës dhe në minimum shpenzime të resurseve.
Tregimi është punuar në kuadër të projektit „Raportimi për shoqërinë civile dhe ndikimi i tij në ndryshimet në shoqëri“, të cilin e realizon Instituti Maqedonas për Media në partneritet me Qendrën për Gazetari Hulumtuese – SCOOP Maqedoni, me mbështetje financiare nga programi
Civica Mobilitas.
Përmbajtja e tregimit është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i paraqet pikëpamjet e Civica Mobilitas, të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ose të organizatave që e realizojnë.