HAPËSIRA MEDIATIKE E PA REFORMUAR, KANË NDRYSHUAR MËNYRAT E KONTROLLIT DHE NDIKIMIT

Autore: Mirjana Vasileva

Dymbëdhjetë edicione të shtypura këtë vit u bënë me fat me paratë e shtetit me të cilat do t’i rimbursojnë shpenzimet për shtypje të bëra gjatë vitit të kaluar. Vitin e kaluar, numri i mediave të shtypura që morën subvencione qeveritare ishte për një më i vogël, respektivisht gjithsej 11 edicione të shtypura morën ndihmë shtetërore. Por, megjithatë, shuma ishte përafërsisht e njëjta – rreth 700 mijë  euro. Ndonëse Qeveria, së bashku me përfaqësuesit e një pjese të komunitetit të mediave, i justifikuan alokimet kinse janë maksimalisht transparente dhe me mbështetjen e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) konstatoi se kriteret mbi të cilat është aprovuar një ndihmë e tillë nuk janë mjaftueshëm precize dhe mundësojë shfrytëzimin joqëllimor të mjeteve të ndara. KSHPK, por edhe fella e gazetarisë, tërheqin vërejtjen edhe se financimi buxhetor për programin e fushatës së paguar zgjedhore politike paraqet një rrezik potencial për korrupsion dhe për krijimin e një marrëdhënieje klienteliste.

Sipas informacioneve të marra përmes instrumentit “Financa të hapura”, Qeveria e VMRO-DPMNE- së për periudhën e viteve 2008-2015, për të reklamuar politikat qeveritare ka shpenzuar madje 38 milion euro, nga të cilat 24 milion euro direkt në media. Prej vitit 2017, kur koalicioni i drejtuar nga LSDM-ja erdhi në pushtet, pushoi praktika e reklamimit të qeverisë, por u zbatua një rregull që të subvencionohen mediat e shkruara me qëllim që tu ndihmohet atyre për kostot e shtypjes dhe distribuimit. Në dy vitet paraprake, qeveria ka ndarë rreth 1.5 milion euro për subvencionim të mediave të shtypura, ndërsa rreth 4 milion euro janë shpenzuar përmes Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) vetëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2019. Ndërsa, përmes Kuvendit, rreth 1 milion euro për referendumin për emrin në vitin 2018.

Se këto reklama dhe subvencione mund të rrezikojnë lirinë e mediave, pajtohen edhe shumica e ekspertëve. Dhe përderisa shteti është në prag të zgjedhjeve të reja, një disponim i këtillë sundon edhe në mesin e gazetarëve, të cilët konstatojnë se praktikat korruptive kanë qenë të pranishme edhe gjatë qeverisë së mëparshme, por edhe gjatë kësaj qeverie, pavarësisht nga fakti se është ndërprerë praktika e reklamimit të qeverisë në media.

PAVARËSIA E MEDIAVE TË SHTYPURA– ME SUBVENCIONE QEVERITARE?

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Dragan Sekulovski, thotë se që prej dy vjet më parë, si organizatë i kanë ofruar Qeverisë propozimet e tyre për të dhënë kontribut për të ndryshuar gjërat. Ai thotë se SHGM-ja me kolegët nga mediat e shtypura i kanë shqyrtuar konstatimet nga raporti Priebe se përgjithësisht mediat e shtypura kanë qenë atëherë në rënie ekonomike dhe nën presion ekonomik. Si shembull për këtë, sipas Sekullovskit, është edhe mbyllja e MPM, një moment që në raportin Priebe trajtohet si shenjë se ky lloj i mediave nuk është i qëndrueshëm pa mbështetje të rëndësishme të qeverisë.

Sekullovski thotë se kjo ka qenë edhe arsyeja për hulumtimin në temën subvencione, me qëllim që të përgatiten rekomandime që janë shkrirë në Dokumentin për politika publike për mbështetje të mediave të shkruar në hapësirën mediatike maqedonase.

SHGM e mbështet ndihmën nga shteti për mediat e shkruara, por me modelin që do t’i kompensojë kostot për shërbimet e shtypjes dhe për distribuimin e të gjitha mediave të shkruara, të cilat marrin pjesë më së shumti në shpenzimet e tyre totale.

“Përqindja e rimburësimit të shpenzimeve është e ndryshme në shtete të ndryshme, por  duke pasur parasysh specifikat dhe kushtet reale në terren, SHGM-ja konsideron se përqindja në Maqedoni duhet të jetë rreth 50 përqind. Sistemi i subvencionimit të shpenzimeve për shtypje dhe distribuim duhet t’i përfshijë të gjitha mediat e shkruara që kanë përmbajtje me interes publik, në mënyrë jo selektive , dhe  nën kritere të qarta”, thotë Sekullovski.

Në listën qeveritare për subvencione këtë vit u gjendën 12 media të shtypura të cilat morën mbështetjen e parave shtetërore për shtyp dhe distribuim për vitin 2019. Në thirrjen e Qeverisë, janë paraqitur 16 kërkesa për ndihmë, nga të cilat 12 janë miratuar, me çka do të akordohen 712 mijë euro.

Shumën më e lartë për vitin 2019 e mori gazeta “Slloboden Peçat” në vlerë prej 236.015 euro, e dyta është “Vecer” me 137.1176 euro, ndërsa gazetës “Nova Makedonija” iu ndanë 110.401 euro. Në listën e mediave të shkruara që morën subvencione јаnë edhe gazetat në gjuhën shqipe “Koha“ me 80.864 euro dhe “Lаjm” me 15.641 euro, e përjavshmja “Fokus” me 75.037 euro dhe “Kapital” me 34.081 euro, pasuar nga revistat mujore “Ekonomija i biznis”me 10.755 euro, “Lice v lice” me 3.752 euro dhe“ Shenja ”me 3.446 euro. Po ashtu, subvencione u janë ndarë edhe të përjavshmeve lokale “Bitolski Vesnik” me 7.980 euro dhe “Zenit” me 4.825 euro.

ZGJEDHJET – SFIDË E MADHE PËR SFERËN MEDIATIKE

Zgjedhjet e radhës në vend do të jenë një tjetër sfidë kryesore për sferën mediale, veçanërisht kur bëhet fjalë nëse mediat do ta luajnë rolin e vet bazë për informim objektiv, informim transparent dhe të përgjegjshëm të publikut. Edhe përkundër faktit se dy vjet më parë u miratua ligji shumë i rëndësishëm për rregullimin e sferës së mediave – më 28 dhjetor 2018, Kuvendi me 79 vota e votoi Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale, i cili u mbështet edhe nga pushteti edhe nga opozita – me ndryshimet në ligj, u ofruan zgjidhje se si të sigurohet një organ rregullator transparent, i pavarur, efikas dhe llogaridhënës në fushën e shërbimeve mediatike audio dhe audiovizuale. Ligji ka pësuar ndryshime edhe këto ditë, por në përgjithësi me ndryshimet e dy viteve më parë, punonjësve medial ligji u mundësoi që të marrin përsipër punën e mediave në duart e tyre, ndërsa politika t’i largojë duart prej atje.

Snezhana Tërpevska

Megjithatë, gjërat nuk po shkojnë siç duhet. Profesoresha e së drejtës së mediave, Snezhana Tërpevska, shprehu pakënaqësi për atë që ndodhi në periudhën e kaluar në Kuvend, para së gjithash, për mos zgjedhjen e kandidatëve për përbërjen e re të Këshillave për Radio Televizionin e Maqedonisë dhe Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale.

“Servisi publik nuk u shërben qytetarëve sepse nuk është transformuar dhe mendoj se është i mbuluar nga ndonjë lloj i lojërave dhe interesave politike, gjë që reflektohet në interesat e qytetarëve”, thotë Tërpevska.

Ajo rikujtoi periudhën jo aq të largët kur, së bashku me  kolegët  e  saj  nga  komuniteti  i  medias  dhe ekspertët e huaj në të ashtuquajturën “Periudha e Përzhinës”, kanë dhënë kontributin e tyre për reformat në mediave, që më pas në vitin 2017 u futën në zgjidhjet ligjore, me qëllim që të krijohet një klimë pozitive në hapësirën mediatike. Por, edhe ky cikël i dhjetë i zgjedhjeve, me sa duket, do të duhet të mbahet pa atë që duhej të realizohet, e kjo ishte paralajmërimi për emërimin e përbërjes së re të Këshillave për MRT dhe ASHMAAV.

Kjo histori hulumtuese është përpunuar me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Vazhdon…

Shkruaj një koment

Koment(e)