SKANDAL: Gazetarët – “kërcënim për sigurinë” e KSHPK-së

Ju jeni kërcënim për sigurinë e institucionit dhe nuk mund të hyni brenda“. Këtë përgjigje të pakëndshme e mori ekipi i SCOOP-Maqedonia nga një person i cili u prezantua si shef i sigurimit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 6 prill 2016. Me këtë, gazetarët ishin penguar për të parashtruar kërkesën për qasje të lirë deri te informacionet në bazë të Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik.

Golgota e SCOOP-it në KSHPK-në ka filluar më 6 prill 2016 rreth orës 11. Kemi hyrë në objektin e institucionit në rrugën Dame Gruev nr. 1, ku në derë na priti një punonjëse si pjesë e sigurimit të Komisionit në rroba civile. Pas kontrollimit të letërnjoftimit, ajo na regjistroi në librin dhe na pyeti se “çfarë kërkojmë në Komision”.

I shpjeguam se duam të parashtrojmë një kërkesë për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik në arkivin e institucionit.

Ma jepni mua kërkesën, unë do të sjell atë në Arkiv“, ishte përgjigja e fundit e sjellshme që e morëm nga punonjësja.

Për jo më shumë se 2 minuta, personi që tha se punon në Arkivin e Komisionit, me kërkesat tona hipi nëpër shkallët në katin e dytë, ku edhe ndodhet kabineti i kryetarit të Komisionit, Goran Milenkov.

Pas 10 minutash, në zyrën e recepcionit u kthye punonjësja e sigurimit me kërkesën tonë pa vulën arkivore.

Goran Lefkov, ju jeni nga Koçani. Do të shkoni në Koçan dhe kërkesën do ta dërgoni me anë të postës“, u përgjigj punonjësja e sigurimit, duke na kthyer dy fletët e letrës që është dashur të arkivoheshin në arkivin e KSHPK-së.

Në pyetjen se pse nuk mund t’i parashtrojmë drejtpërdrejt në arkiv, ajo na u përgjigj me revolt: “E pra nuk mund t’i parashtrosh këtu, merri kërkesat dhe shko e ankohu kudo që të duash, në Kuvend, në Qeveri, në gjykatë“.

KSHPK-ja, me sa duket, nuk është përfshirë në projektin e promovuar nga qeveria e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, me të cilin “iu vu fund shëtitjes nga sporteli në sportel” të qytetarëve. Sipas atij projekti shumë të reklamuar qeveritar, nëse nuk jeni në sportelin e duhur, zyrtari është i detyruar që të ju çojë në sportelin e duhur. Por, kjo është vetëm një reklamë, ndërsa SCOOP-i u ballafaqua me një realitet të ndryshëm.

Përndryshe për 10 muaj, Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP Maqedonia ka parashtruar 68 kërkesa me shkrim dhe ka pasur të paktën 20 përpjekje për të parashtruar kërkesa me gojë, për të cilat pothuajse nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

 

Takim me shefin e sigurimit

 

Ka kaluar një orë derisa ne prisnim për të na lejuar të shkojmë në arkivin e KSHPK-së. Duke pritur, doli punonjësja e sigurimit dhe na luti të “dalim me atë jashtë dhe të pimë një cigare”. Pasi ne e refuzuam, ajo doli vetë. Pasi përfundoi me cigaren na pyeti:

A keni në plan ende të rrini këtu ose ta thërras shefin e sigurimit?”.

Ne u përgjigjëm se në qoftë se na lejojnë të hyjmë në arkiv dhe të arkivojmë dokumentet, do të largohemi menjëherë.

Pasi pritëm një orë e gjysmë, u paraqit një person i sigurimit i cili na urdhëroi t’i marrim dokumentet dhe të largohemi nga atje. Edhe atij iu përgjigjëm se i kemi sjellë kërkesat për t’i arkivuar në arkiv.

A po do t’i shqyej dokumentet dhe t’i hedh në shportë“, na u drejtua njeriu i sigurimit të KSHPK-së, i cili ishte në një moshë të mesme.

Pas 10 minutash përsëri kërkoi letërnjoftimin prej nesh. Ne ia dhamë, e çoi te makina e fotokopjimit, bëri një fotokopje dhe e ktheu fletën në zyrën e recepcionit. Përsëri i mori dy kërkesat për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik, të cilat deshëm t’i parashtrojmë në Komision.

Si mund të kërkosh dokumente të këtilla? Kush të jep dokumente të këtilla? Pse ke parashtruar aq shumë kërkesa në Komision?“, na u drejtua ai dukshëm i nervozuar dhe na hodhi kërkesat në tokë.

Dokumenti

I shpjegova se kam të drejtën ligjore për t’i parashtruar këto kërkesa dhe se ne jemi gazetarë dhe se na nevojiten informacionet me karakter publik.

Ti je kërcënim për sigurinë e Komisionit“, pëshpëriti me zë të ulët personi i sigurimit, duke refuzuar për të shpjeguar se pse gazetarët do të ishin kërcënim për KSHPK-në.

Por, pas 15 minutash shpjegim shtesë na tha t’i marrim dokumentet e hedhur në tokë dhe të shkojmë me të në arkiv. Hymë brenda, ku arkivistja i arkivoi kërkesat tona për jo më shumë se një minutë, pas golgotës që zgjati pothuajse dy orë.

 

Çfarë fsheh KSHP-ja?

 

Një problem të ngjashëm për të hyrë në arkivin e KSHPK-së SCOOP-i kishte edhe më 27 janar 2016. Hymë në arkiv për t’i arkivuar kërkesat për informacionet me karakter publik, por arkivistja na tha se nuk mund t’i pranojë ato dhe shkoi në katin e dytë të Komisionit.

Do të shkoj lart për ta marrë vulën, atje e kam lënë vulën“, tha punonjësja e arkivit.

Na tha të dalim jashtë dhe e fiku dritën në zyrë. Pas 10 minutash pritje para arkivit, nga sigurimi na thanë që të dalim nga zyra dhe të presim jashtë.

Para derës hyrëse të KSHPK-së u takuam me një mysafir të Komisionit nga Gjermania, i cili tha se punon në një projekt të Bashkimit Evropian për aftësimin e këtij institucioni. Kur i shpjeguam qartë për KSHPK-në në lidhje me moszbatimin e Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik dhe pengesat që ua bën komisioni gazetarëve, ai u pajtua për të na shoqëruar deri në arkiv për t’i arkivuar kërkesat. Me ndërhyrjen e zotëriut nga Gjermania, kërkesat ishin parashtruar.

 

 

Sllavko Gjorgjieski nuk është në dispozicion për të zbatuar Ligjin

 

Personi Sllavko Gjorgjieski është përgjegjës për të ndihmuar palët në zbatimin e Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik. Edhe pse e kemi kërkuar 10 herë në zyrën e recepcionit të Komisionit, ai kurrë nuk u paraqit para nesh për të na ndihmuar, edhe pse merr pagë për këtë punë.

Shkruaj një koment

Koment(e)